Sunday, May 12, 2013

Barcelona është shpallur kampione e Spanjës për herë të 22-të në historinë e saj, ndonëse nuk ka luajtur ende në këtë fundjavë. Meritë për festimin e titullit është barazimi mes Real Madrid dhe Espanjol, dy armiqtë më të mëdhenj të ekipit katalanas, që i dha matematikisht trofeun skuadrës së Vilanovas që do të festojë sot në fushë ndaj Atletiko Madrid. 


Në ndeshjen e mbrëmshme, Murinjo dukej qartësisht që po mendonte më shumë për ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Atletiko Madrid, pasi la pushim pjesën më të madhe të titullarëve, përfshirë edhe Kristiano Ronaldon, i ulur në stolin e rezervave.
Por Espanjol kaloi në avantazh në pjesën e parë me Stuani dhe vuri në vështirësi të dukshme skuadrën madrilene. Një gol i Higuain në minutën e 58-të vendosi barazpeshën në rezultat, por as hyrja në fushën e lojës e Kristiano Ronaldos nuk bëri që Reali të siguronte një fitore për të mos ia dorëzuar me dorën e vet këtë titull katalanasve, pasi takimi u mbyll me rezultatin 1-1.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Murinjo ka një shqetësim të madh para finales së Kupës së Mbretit, pasi në fillimin e ndeshjes së mbrëmshme u dëmtua Varane dhe me shumë mundësi do të mungojë në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)